TEKST
+100%-

Video Edukuese

VIDEO – Edukimi në lidhje me Investimet, Bursën, Tregjet, Ndërmjetësit dhe Instrumentat Financiarë


Ky grup videosh të animuara është përgatitur nga një projekt i përbashkët bashkëpunimi mes Bursës Shqiptare të Titujve ALSE dhe Junior Achievement Albania (JAA) me fokus edukimin financiar dhe tregun e kapitaleve.

Videot do të shërbejnë si instrument ndërgjegjësimi dhe edukimi për publikun e gjerë dhe të rinjtë në veçanti në lidhje me edukimin financiar në drejtim të parimeve bazë financiare si: kursimet, investimet, tregu financiar, titujt, bursa dhe tregu i kapitaleve.

Videot jane të grupuara sipas tematikave që trajtojnë, për t’iu përgjigjur më mirë interesit dhe fushave të caktuara për investitorët dhe publikun.

Bonot e Thesarit dhe Obligacionet e Thesarit

#Video – 1a #Video – 1b
Ç’janë Bonot dhe Obligacionet e Thesarit Karakteristika të Bonove dhe Obligacioneve të Thesarit

Këto video animative përfshijnë informacion edukues në lidhje me:

  • Konceptin e “Buxhetit të Shtetit” forma e buxhetit familjar, apo e një xhepi te individit, që ka të ardhura dhe shpenzime. Jo gjithmonë të ardhurat na mjaftojnë të realizojmë shpenzimet individuale, ndaj kërkojmë para hua nga të tjerët (prindërit, miqtë). Ashtu edhe Buxheti i Shtetit që ka të ardhura vetëm taksat nga binzeset dhe qytetarët, realizon shpenzime në formën kostove për administratën (pagat, pensionet, zyrat etj.) dhe në formën e investimeve publike (rrugë, ura, shkolla, spitale).
  • Nevoja e Buxhetit të Shtetit për huamarrje të cilën e bën ose duke marrë hua nga shtete të tjera, ose duke emetuar (shitur) tituj apo siç njihen ndryshe edhe letra me vlerë. Titujt e borxhit që emeton Qeveria për të financuar nevojat e Buxhetit quhen Bono Thesari dhe Obligacione Thesari.
  • Investitorët e Bonove dhe Obligacioneve të Thesarit janë kryesisht qytetarët me kursimet e tyre modeste, por edhe çdo institucion tjetër privat apo publik i cili ka fonde të tepërta (kursime) për një periudhë të shkurtër kohore. Investitorët blejnë bono thesari dhe obligacione thesari duke pritur në këmbim një fitim monetar në formën e interesit mbi paratë e tyre që kanë investuar (në gjuhën financiare quhet principal).
  • Rreziku i Ulët i Mospagesës së Detyrimeve nga Qeveria – një tjetër arsye pse investitorët e preferojnë investimin në Bono dhe Obligacione Thesari është fakti se janë të sigurtë që paratë e tyre kthehen mbrapsht së bashku me interesat. Kjo për faktin se emetuesi (shitësi) i cili është Qeveria ka gjithmonë të ardhura të pashterrshme (ka aftësi paguese), pasi ka të drejtën e dy instrumentave ligjorë mjaft të fuqishëm që i vijnë në ndihmë për të paguar detyrimet siç janë e drejta ligjore për të vendosur taksa (politika fiskale), dhe e drejta ligjore për t’i kërkuar Bankës së Shqipërisë të hedhë në qarkullim para më shumë edhe pse në mënyrë të kontrolluar (procesi i emetimit të parasë. Megjithatë, për shkak të rrezikut të vogël që ato mbartin, edhe përfitimi (interesi) që kanë investitorët nga Bonot dhe Obligacionet e Thesarit është i vogël.
  • Karakteristikat e Titujve të Borxhit të Qeverisë janë Jetëgjatësia (ose siç njihet ndryshe Maturimi), Principali (ose siç njihet ndryshe Paratë e Investitorit), Vlera Nominale dhe Interesi (ose siç njihet ndryshe Kuponi).
  • Jetëgjatësia (Maturimi) – Bonot e Thesarit dhe Obligacionet e Thesarit ndryshojnë nga jetëgjatësia e tyre. Të dy këto tituj janë në thelb kontrata që përfaqësojnë detyrimin që u ka Qeveria investitorëve për një periudhë kohore të caktuar. Nëse periudha e detyrimit të borxhit të Qeverisë është afatshkurtër, ajo emeton tituj borxhi afatshkurtër (Bono Thesari) të cilat kanë jetëgjatësi 3, 6 ose 12 mujore. Nëse periudha e detyrimit të borxhit të Qeverisë është afatgjatë, ajo emeton tituj borxhi afatgjatë (Obligacione Thesari) të cilat kanë jetëgjatësi mbi 1 vit. Në Shqipëri Qeveria ka emetuar obligacione thesari 2, 3, 5, 7 dhe 10 vjeçare, por në tregjet e zhvilluara maturimi i Obligacioneve të Thesarit shkon nga 30 deri në 99 vite.
  • Principali – janë paratë që investitori i ka të lirshme (kryesisht kursime) për të investuar. Principali i kthehet gjithmonë investitorit i plotë në fund të periudhës së maturimit (jetëgjatësisë) së bashku me pagesën e interesit.
  • Vlera Nominale – është vlera për njësi që mbart çdo titull borxhit në vetvete, ose ndryshe vlera e një kontrate të huamarrjes së Qeverisë ndaj investitorëve. Vlera Nominale e një Bono Thesari në Shqipëri është 10.000 lekë ndërsa ajo e një Obligacioni Thesari është 100.000 lekë. Qeveria shet me mijëra njësi (copë) bono dhe obligacione thesari sa herë i duhet të marrë hua nga publiku investitor. Zakonisht tek Bonot e Thesarit, Vlera Nominale eshtë shuma totale e Principalit + Interesit, kurse tek Obligacionet e Thesarit Vlera Nominale është e barabartë më Principalin, kurse interesi në formën e kuponit i jepet investitorit veçmas kësaj shume.
  • Pagesa e Interesit (Kuponi) – është pjesa e përfitimi i investitorit nga investimi në titujt e borxhit të Qeverisë (bono dhe obligacione thesari). Për Bonot e Thesarit interesi jepet si diferencë mes çmimit që paguan investitori në fillim të maturimit dhe vlerës nomiale që merr ai në fund. Me fjalë të tjera, investitori paguan një çmim të skontuar (të zbritur), ndërsa në fund të periudhës së maturimit merr vlerën nominale të Bonos së Thesarit e cila përfshin principalin (çmimin e paguar) dhe interesin (diferencën mes çmimit dhe vlerës nominale). Për Obligacionet e Thesarit interesi jepet veçmas në formën e një kuponi që ndahet nga Qeveria për investitorët çdo 6 muaj ose 12 muaj.

Nëse doni të shikoni videot, klikoni mbi fotot më sipër ose këtu

Letrat Tregtare dhe Obligacionet e Korporatave

Letrat Tregtare dhe Obligacionet e Korporatave

#Video – 2a #Video – 2b
Ç’janë Letrat Tregtare dhe Obligacionet e Korporatave
Karakteristikat e Letrave Tregtare dhe Obligacioneve të Korporatave

Këto video animative përfshijnë informacion edukues në lidhje me:

  • Konceptin e “Financimit të Biznesit Privat” – biznesi privat ka gjithmonë nevojë për financim në mënyrë që të rritet vazhdimisht e t’u shërbejë më mirë qytetarëve në një shtrirje gjeografike sa më të madhe.
  • Format e Financimit të Biznesit – çdo biznes në fillimet e veta ka qenë i vogël dhe e ka filluar aktivitetin e tij fillimisht me kursimet e ortakëve të cilat kanë vënë kapitalin fillestar. Më pas rritja e volumit të biznesit ka kërkuar më shumë financime për të zgjeruar biznesin apo bërë investime. Këto financime biznesi i vogël i ka marrë në forma të ndryshme, ku më të përdorurat janë:
    a) Kapital shtesë nga vetë ortakët
    b) Ri-investimi i fitimeve
    c) Hua nga familjarët
    Të gjitha këto forma financimi e kanë ndihmuar çdo biznes që të rritet nga biznes i vogël në biznes të mesëm. Në këtë fazë, biznesi i mesëm kalon në forma të tjera financimi që lidhen direkt ose indirekt me tregun financiar dhe investimet financiare:
    a) Huamarrje (si kredi) nga institucionet financiare të mikro-kredisë ose bankat
    b) Shitje e një pjese të aksioneve tek ortakë të rinj ose tek institucione të tjera financiare si bankat e investimeve.
  • Korporatat dhe financimi i tyre – të gjitha këto forma financimi e ndihmojnë biznesin të rritet dhe të arrijë përmasat e biznesit të madh ose siç njihen ndryshe “korporata”. Korporatat kërkojnë financime në vlera mjaft të mëdha. Për rrjedhojë ato e financojnë aktivitetin e tyre kryesisht nga kreditë që marrin nga bankat. Por kjo nuk është e vetmja mënyrë.
  • Huamarrja e Korporatave nëpërmjet emetimit të titujve të Borxhit Privat – një tjetër fromë se si biznesi mund të marrë hua është t’i drejtohet jo bankës…. por publikut investitor duke emetuar dhe shitur letra me vlerë ose siç njihen ndryshe tituj të borxhit privat. Koporatat i përdorin më pas këto fonde të marra hua nga shitja e titujve të borxhit privat për të bërë më shumë investime dhe zgjeruar biznesin e tyre. Termi “privat” tregon se nuk është titull i garantuar nga shteti por që huamarrësi është një korporatë private. Llojet e titujve të borxhit privat që mund të emetojnë korporatat janë kryesisht afatshkurtra dhe quhen Letra Tregtare ose afatgjata dhe quhen Obligacione Korporate.
  • Investitorët e Letrave Tregtare dhe Obligacioneve të Korporatave janë kryesisht qytetarët me kursimet e tyre modeste, por edhe çdo institucion tjetër privat apo publik i cili ka fonde të tepërta (kursime) për një periudhë të shkurtër kohore. Investitorët blejnë Letra Tregtare dhe Obligacione Korporate duke pritur në këmbim një fitim monetar në formën e interesit mbi paratë e tyre që kanë investuar (në gjuhën financiare quhet principal). Fitimi duhet të shpërblejë investitorin jo vetëm për kohën e bllokimit të parave të tij, por edhe për rrezikun që mund të paraqesë korporata si biznes privat.
  • Rreziku i Lartë dhe mundësia e MosPagimit të Detyrimeve nga Korporatat – parë nga këndvështrimi i investitorit, rreziku më i madh kur blen Letra Tregtare apo Obligacione Korporate është që emetuesi privat të mos paguajë detyrimet ndaj investitorit. Ky rrezik është i ndryshëm për korporata të ndryshme, sepse varet nga mundësia e falimentimit, nga sektori ku operon korporata, nga menaxhimi i suksesshëm ose jo i korporatës e nga një sërë risqesh të tjera. Kjo është arsyeja pse titujt e borxhit privat mbartin risk shumë më të lartë se bonot dhe obligacionet e thesarit të shtetit. Për rrjedhojë investitori kërkon një nivel më të lartë fitimi, nëse pranon të investojë në Letra Tregtare dhe Obligacione Korporate.
  • Agjencitë e Vlerësimit të Rrezikut (Rating Agencies) janë Jetëgjatësia – Rreziku i korporatave pëcaktohet nga institucione financiare të specializuara që quhen Agjensi të Vlerësimit të Rrezikut. Këto agjenci vlerësojnë me notë nivelin e rrezikut duke u bazuar në kritere financiare e profesionale. Nota e rrezikut të përcaktuar nga Agjensitë, merret në konsideratë nga investitorët përpara se të blejnë titujt e borxhit privat të emetuar nga Korporatat.
  • Lloje të ndryshme të Titujve të Borxhit Privat ka disa lloje të ndryshme (kryesisht Obligacionet e Korporatave). Ato mund të jenë
    a) Të Garantuara ose të Pagarantuara në pagesë me asete apo subjekte të tjera
    b) Në valutë të huaj ose në valutën vendase në varësi të nevojave për financim të Korporatës emetuese,
    c) Me Normë Interesi Fikse ose me normë Interesi të Ndryshueshme (norma e interesit ndryshon ose jo vetëm në datat e pagesës së interesit apo kuponit),
    d) Të Mbështetura ose jo në Asete (emetimi i tyre bëhet duke lënë peng pasuri të paluajtshme në pronësi të Korporatës emetuese)
    e) Të Pagueshme Para Aftit të Maturimit (nëse Korporata emetuese ka pritshmëri të mira për të ardhura që të paguajë detyrimet para afatit)
    f) Të Konvertueshme në Aksione (u jep mundësinë investitorëve që, pasi të shikojnë seriozitetin dhe suksesin e Korporatës të bëhen bashkë-aksionerë në të ardhmen).
    g) Borxh i Varur, çka tregon se investitori është i fundit që merr pagesat e borxhit në radhët e huadhënësve të Korporatës.
  • Karakteristikat e Titujve të Borxhit Privat janë Jetëgjatësia (ose siç njihet ndryshe Maturimi), Principali (ose siç njihet ndryshe Paratë e Investitorit), Vlera Nominale dhe Interesi (ose siç njihet ndryshe Kuponi) si dhe Rreziku (që ka të bëjë me mundësinë e mos pagimit të detyrimeve nga korporata që emeton titujt t borxhit privat)
  • Jetëgjatësia (Maturimi) – Letrat Tregtare dhe Obligacionet e Korporatave ndryshojnë nga jetëgjatësia e tyre. Të dy këto tituj janë në thelb kontrata që përfaqësojnë detyrimin që u ka Korporata private investitorëve për një periudhë kohore të caktuar. Nëse periudha e detyrimit të borxhit të Korporatës është afatshkurtër, ajo emeton tituj të borxhit privat afatshkurtër (Letra Tregtare) të cilat kanë jetëgjatësi 3, 6 ose 9 mujore. Nëse periudha e detyrimit të borxhit të Korporatës private është afatgjatë, ajo emeton tituj të borxhit privat afatgjatë (Obligacione Korporate) të cilat kanë jetëgjatësi mbi 1 vit.
  • Principali – janë paratë që investitori i ka të lirshme (kryesisht kursime) për të investuar. Principali i kthehet gjithmonë investitorit i plotë në fund të periudhës së maturimit (jetëgjatësisë) së bashku me pagesën e interesit.
  • Vlera Nominale – është vlera për njësi që mbart çdo titull borxhit në vetvete, ose ndryshe vlera e një kontrate të huamarrjes së Korporatës private ndaj investitorëve. Vlera Nominale e një Letre Tregtare apo një Obligacioni Koporate është e ndryshueshme dhe përcaktohet nga vetë Korporata emetuese. Zakonisht sugjerohet që vlera nominale e tituje të borxhit privat të jtë sa më e vogël, me qëllim që t’u japmë mundësine e investimit edhe qytetarëve që kanë pak kursime. Korporatat shesin me mijëra njësi (copë) Letra Tregtare dhe Obligacione Korporate sa herë u duhet të marrin hua nga publiku investitor.
  • Pagesa e Interesit (Kuponi) – është pjesa e përfitimi i investitorit nga investimi në titujt e borxhit privat (Letra Tregtare dhe Obligacione Korporate). Për Letrat Tregtare interesi jepet si diferencë mes çmimit që paguan investitori në fillim të maturimit dhe vlerës nomiale që merr ai në fund. Me fjalë të tjera, investitori paguan një çmim të skontuar (të zbritur), ndërsa në fund të periudhës së maturimit merr vlerën nominale të Letrës Tregtare e cila përfshin principalin (çmimin e paguar) dhe interesin (diferencën mes çmimit dhe vlerës nominale). Për Obligacionet e Korporatave interesi jepet veçmas në formën e një kuponi që ndahet nga Korporata emetuese për investitorët zakonisht çdo 6 muaj ose 12 muaj.
  • Të Ardhura Fikse (të pandryshueshme) – për shkak se për shumicën e tyre, periodiciteti i pagesës së interesave kryesisht në formën e kuponit është në data standarde sipas datës kur janë emetuar titujt e borxhit privat, ato konsiderohen si tituj me të ardhura të pandryshueshme për investitorin. Nëse norma e interesit të kuponit është e ndryshme, atëherë edhe të ardhurat për investitorin ndryshojnë sipas ecurisë së normës.
  • Likuiditeti – nëse investitorët duan të kthejnë në likuid (para cash) investimin e tyre në letra tregtare dhe obligacione korporatash, në çdo moment mund t’i shesin ato para afatit të maturimit në një bursë ku këto tituj janë listuar dhe lejohet të tregtohen.
  • Spread – është diferenca e cmimit me të cilin blihet dhe shitet i njëjti titull borxhi në bursë. Spread-i mes cmimit të blerjes dhe të shitjes është një tregues likuiditeti. Sa më e vogël kjo diferencë, aq më likuid dhe aq më pak me rrezik është ai titull dhe anasjelltas.

Nëse doni të shikoni videot, klikoni mbi fotot më sipër ose këtu