TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Tregut të brendshëm valutor i duhet një Bursë Valutash

//
Kategori

I ftuar në emisionin “PërTëFol” të datës 2 Prill 2020 në SCAN Tv, Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, z. Artan Gjergji foli në lidhje me ndikimin që ka pasur kriza e COVID-19 në tregun valutor duke u fokusuar specifikisht në tregun e brendshëm dhe zhvlerësimin e shpejtë të monedhës kombëtare ndaj valutave të tjera.

Bazuar në luhatjet drastike të kursit të këmbimit në tregun e brendshëm valutor, z. Gjergji argumentoi se zhvlerësimi vjen kryesisht për shkak të politikave monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë (ulja e normës së interesit) apo rritjes së kërkesës nga importuesit për valutë të huaj. Megjithatë, herë pas here tregu ka pësuar edhe luhatje si pasojë e ndikimit në treg të agjentëve ekonomikë të mëdhenj spekulatorë në kushte paqartësie, por edhe nga paniku i publikut. Në mungesë informacioni për trendin e tregut valutor, qytetarët përpiqen të mbrohen nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare duke marrë pozicione blerjeje në valutë të huaj pa e pasur të nevojshme, por duke rritur në mënyrë fiktive kërkesën për këto valuta.

Sipas z. Gjergji, transparenca është një element mjaft i rëndësishëm në tregjet financiare, pasi jo vetëm krijon besim tek investitorët, por edhe ul kostot e zvogëlon mundësinë e abuzimit me çmimet për ndërmjetësit financiarë dhe agjentët e tjerë ekonomikë. Kjo kërkon një treg valutor të zhvilluar e transparent, ndryshe nga tregu i fragmentarizuar që ekziston sot. Në ditët e sotme qytetarët dhe agjentët ekonomikë përdorin si “benchmark” (referencë), disa kurse të ndryshme të këmbimit valutor të publikuara nga operatorë e mëdhenj të tregut të cilët e përcaktojnë politikën e çmimeve në varësi të pozicioneve të tyre të investimit. Kjo bën që mjaft investitorë të orientohen gabim në vendimet e tyre të investimit, duke marrë për bazë informacione të njëanshme të operatorëve të tregut.

Për këtë arsye ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një treg transparent të përcaktimit të kurseve të këmbimit, i cili jo vetëm të jetë transparent por dhe i pa-anshëm duke krijuar mundësinë e çmimeve të pa-deformuara dhe reduktuar riskun për operatorët në treg përfshi publikun. Bursa Shqiptare e Titujve ALSE ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të ofruar mundësinë e një tregu valutor të brendshëm, ku të gjithë operatorët e mëdhenj e të vegjël të ekzekutojnë transaksione mbi bazën e transparencës dhe konkurrencës së lirë e të ndershme.

Deri më sot kjo ka qenë e pamundur, kryesisht për faktin se valutat nuk konsiderohën si “titull” në bazë të kuadrit ligjor e rregullativ në Shqipëri. Megjithatë, ligji i ri për Tregun e Kapitalit, i përgatitur nga Banka Botërore dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që pritet të miratohet së shpejti nga Parlamenti krijon hapësirën e mjaftueshme ligjore për të tregtuar valutat në bursë në mënyrë indirekte nëpërmjet titujve të strukturuar.

Një tjetër pengesë për të realizuar një treg të organizuar të valutave të huaja në Shqipëri (bursë valutash) ka qenë dhe mungesa e infrastrukturës teknike për klerimin e transaksioneve në valutë të huaj. E thënë më thjeshtë transaksionet në monedhën kombëtare klerohen në Bankën e Shqipërisë nëpërmjet sistemit AIPS, ndërkohë që një mundësi e tillë ka munguar për transaksionet në valutë të huaj. Megjithatë, BSH ka që nga viti 2019 që po punon në një projekt mjaft ambicioz për të ofruar edhe shërbimin e klerimit të valutave të huaja brenda vendit (një sistem i ngjashëm me AIPS që do të klerojë pagesat në valuta të huaj).

Të dy këto faktorë, si baza ligjore ashtu edhe infrastruktura teknike, na bëjnë të besojmë se po krijohen kushtet që në një të ardhme të afërt, me vullnetin pozitiv dhe mbështetjen e rregullatorëve, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE të mund të ofrojë për investitorët një treg të dedikuar specifikisht për produkte financiare të valutave të huaja, duke plotësuar një nevojë të domosdoshme për tregun valutor në Shqipëri.

Për të dëgjuar intervistën e plotë të z. Gjergji, klikoni këtu.