TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Tatimet sqarojnë transaksionet e ndërmjetësve

Tatimet kanë publikuar informacionin lidhur me transaksionet e ndërmjetësve.

Referuar ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dallojmë dy lloje ndërmjetësish:

  1. Ndërmjetës që veprojnë për llogari të një personi tjetër, por në emrin e tyre
  2. Ndërmjetës që veprojnë për llogari dhe në emër të një personi tjetër Koncepte të përgjithshme mbi transaksionet e ndërmjetësve Çdo ndërmjetës ndërhyn mes dy personave, personit në emër të të cilit ai vepron (më poshtë do të quhet “klient-i”) dhe një të treti.

Aktivitetet e ndërmjetësve karakterizohen:

  1. a) Juridikisht – nga ekzistenca e një mandati (dokument- kontrate), që parashikon mundësitë e pagesës së ndërmjetësit dhe ekzistencën e një pasqyre llogarish.
  2. b) Ekonomikisht – nga fakti që ndërmjetësit nuk e bëjnë furnizimin e mallit dhe të shërbimit me mjetet e shfrytëzimit të tyre, në transaksionin ku ata ndërhyjnë.

Në këtë mënyrë, ndërmjetësit nuk janë pronarë të mallrave për të cilat janë ngarkuar t’i blejnë apo t’i shesin.

Kujdes! Sipas dispozitave të ligjit, aktivitetet e ndërmjetësve i nënshtrohen regjimeve të ndryshëm, nëse ata veprojnë në emër të tyre ose në emër të një personi tjetër.

Ndërmjetës që veprojnë për llogari të një personi tjetër, por në emrin e tyre Kur një person i tatueshëm, i cili vepron në emrin e tij, por për llogari të një personi tjetër, merr pjesë në kryerjen e një furnizimi shërbimi, ai konsiderohet sikur ka marrë dhe ka furnizuar vetë këtë shërbim.

Gjithashtu, transferimi i mallrave bazuar në një kontratë, sipas së cilës paguhet komision për blerjen apo për shitjen, konsiderohet furnizim malli dhe personi konsiderohet sikur e ka marrë dhe e ka furnizuar vetë këtë mall.

Pra janë persona të tatueshëm, ndërmjetës në lidhje me një furnizim malli ose furnizim shërbimi, që veprojnë për llogari të një personi tjetër, i cili mund të jetë ose klienti ose një i tretë, por në emrin e tyre dhe i furnizojnë vetë mallrat dhe shërbimet. Këta ndërmjetës konsiderohen sikur e kanë blerë ose furnizuar vetë mallin kur ata ndërmjetësojnë furnizimet e mallrave, apo sikur e kanë furnizuar ose marrë personalisht shërbimin në ndërmjetësimet e furnizimeve të shërbimit.

Ndërmjetësit që veprojnë për llogari dhe në emër të një personi tjetër

Ndërmjetësit që veprojnë për llogari dhe në emër të një personi tjetër kryejnë një furnizim shërbimi të ndërmjetësimit. Këta ndërmjetës quhen ndërmjetës transparentë, pasi në marrëdhëniet e tyre me kontraktorët (blerësit apo shitësit), ndërmjetësi që vepron në emër të dikujt tjetër, shfaqet qartë si përfaqësues i klientit. Transaksionet e ndërmjetësisë të këtyre ndërmjetësve konsiderohen si furnizime shërbimi ndërmjetësimi dhe i nënshtrohen të gjitha rregullave përkatëse.

Vlera e tatueshme e furnizimit të shërbimit të ndërmjetësit është komisioni, i cili i faturohet prej ndërmjetësit, personit që ai përfaqëson. Gjithashtu, duhet konsideruar se një ndërmjetës vepron në emër të një personi tjetër nëse ai lidh dy persona që kontraktojnë mes tyre. Në këtë rast, ndërmjetësit nuk i furnizojnë vetë mallrat dhe shërbimet, por ata kryejnë një shërbim për njërën ose tjetrën pale, kundrejt një komisioni të përcaktuar mbi vlerën e transaksionit të kryer. Furnizimi i mallit ose shërbimit kryhet përkatësisht drejtpërdrejtë nga personi i tatueshëm furnizues për klientin dhe ndërmjetësi, i cili është në rolin e komisionerit që përfiton komision për shërbimin e kryer ose nga blerësi nëse ka ndërmjetësuar për blerjen ose nga shitësi nëse ka ndërmjetësuar për shitjen përkatësisht sipas kontratës. Në rolin e ndërmjetësit transparent, ndërmjetësi në emër dhe për llogari të një personi tjetër, mund të kontraktojë personalisht me një të tretë në rastet kur:

  1. a) kontrata noteriale shpreh qartë se ndërmjetësi nuk vepron në emër të tij, por vepron në emër dhe për llogari të një personi tjetër dhe kushti plotësohet vetëm nëse në kontratë shkruhet emri, identiteti, adresa, si dhe NIPT-i i klientit, për të cilin parashikohet ndërmjetësimi;
  2. b) fatura për një furnizim në këto raste lëshohet drejtpërdrejtë nga klienti për të tretin (ndërmjetësimi “për shitjen”) apo i adresohet drejtpërdrejtë klientit nga i treti (ndërmjetësimi “për blerje”) dhe ndërmjetësi faturon vetëm komisionin e ndërmjetësimit.
  3. c) Por nëse fatura për vlerën e furnizimit lëshohet nga ndërmjetësi dhe jo vetë nga klienti duhet të tregohet qartë në kontratë me shkrim që ky i fundit vepron në emër të një personi tjetër dhe të bëhen të qarta dhe transparente, identiteti dhe të dhënat e personit në emër të të cilit vepron ndërmjetësi edhe në faturën që lëshon për blerësin. Në mungesë të faturës (në rastet kur fatura nuk është e detyrueshme të lëshohet për furnizimet e realizuara me persona të pa-tatueshëm), duhet që të tregohen rrethana, situata apo fakte që (pikërisht shqyrtimi i kushteve të kontratës që lidh ndërmjetësin me klientin) të mundësojnë, të vërtetojnë se i treti kishte njohuri për faktin se ndërmjetësi vepronte në emër të një personi tjetër.