TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Si mund të zhvillohen tregjet e kapitalit

//
Kategori

Nga data 22 shkurt 2018 e deri më sot, Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE)  ka tregtuar 175252 tituj në një vlerë transaksionesh prej më shumë se 45 milionë euro. Sigurisht që është shifër modeste, krahasuar me transaksionet e bursave të vendeve të zhvilluara, por është inkurajuese për një vend me histori të shkurtër të lirisë ekonomike, me informalitet të lartë, probleme të mbijetesës dhe madhësisë së vogël të PBB-së/frymë, rreth 4470 euro për frymë në vit.

Licencimi i ALSE 2 vite më parë ishte hap i rëndësishëm për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me synim fillimisht tregtimin e letrave me vlerë të qeverisë dhe me rritjen e konfidencës, tregtimin e obligacioneve private dhe në fund të aksioneve të shoqërive tregtare. Aktualisht, funksionon kolona e parë e tregut të letrave me vlerë, ndërkohë që me plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, duke përfshirë dhe sistemet e shlyerjes së pagesave nga Banka e Shqipërisë, do jetë e afërt dita kur bizneset të emetojnë obligacione në bursë dhe pse jo të shesin aksione, çmimet e të cilave do vendosen në mënyrë transparente dhe në kohë reale.

Përveç se do të rriste shkallën e ndërmjetësimit financiar dhe lëvizjen e fondeve nga poseduesit pasivë (kursimet) drejt investimeve eficiente, funksionimi i bursës do ishte me efekte pozitive për formalizimin e ekonomisë, kontrollin mbi flukset monetare, rritjen e të ardhurave në buxhet dhe gjallërimin e ekonomisë.

Një ndihmë të posaçme në drejtim të zhvillimit do të japë ligji “Për tregjet e kapitalit”, i hartuar nga ekspertët e projektit të asistencës dhe stafi AMF-së, që tashmë është miratuar nga Komisioni i Ekonomisë dhe pritet të votohet në Kuvend, në datën 14 maj 2020.

Logjika synon rritjen e potencialit për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, pasi rritet mundësia që emetuesit të gjejnë kapital dhe të financojnë ekonominë, rriten mundësitë për investitorët për fitime më të mira, rriten mundësitë për ndërmjetësit, rritet rentabiliteti i infrastrukturës së tregjeve të kapitalit.

Iniciativa u ndërmor para 4 viteve nga AMF, me qëllim që të nxiten e të zhvillohen tregjet e kapitalit, si edhe për një mbrojtje më të mirë të investitorëve në përputhje me realitetin e ekonomisë tonë dhe dinamikës së kërkesave të tregjeve europiane.

Zhvillimi i tregjeve të kapitalit në Shqipëri do të kryhet nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë, kanalizimit të kursimeve nëpërmjet tregjeve më mirë të rregulluara të investimeve, tërheqjes së investitorëve të huaj, mbikëqyrjes me efektivitet dhe një bazë ligjore në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare dhe në përputhje me direktivat e BE-së.

Ligji ri parashikon rritjen e kompetencave të AMF, tregjet e kapitalit, sidomos në procesin hetimor të praktikave të paligjshme të tregtimit, dhe vendosjen e gjobave administrative. Projektligji vendos standarde më rigoroze për fit&proper të aksionarëve influencues, administratorëve, anëtarëve të këshillit mbikëqyrës, si dhe personave të tjerë kryesorë. Projektligji vendos standarde në interesin më të mirë të investitorëve, duke mos lejuar trajtime preferenciale, si dhe duke siguruar konfidencialitet mbi të dhënat e investitorit.

Gjithashtu, ligji vendos rregulla mbi shmangien e manipulimit të tregut dhe praktikave të tjera të paligjshme të tregtimit, si dhe rregulla për krijimin e institucioneve të reja si Depozitarit Qendror të Titujve, si dhe Agjencisë së Vlerësimit të Rrezikut të Kreditit.

Me standardet e një tregu transparent dhe të rregulluar, AMF do të duhet të licencojë e mbikëqyrë dhe rregullon aktivitetin në tregjet e kapitalit, duke përcaktuar rregulla dhe duke monitoruar raportet e audituara.

AMF do të vendosë për tregtimin e instrumenteve financiare në bursë, platformë shumëpalëshe tregtimi ose platformë të organizuar tregtimi; rregullon emetimin e titujve; pezullon listimin e çdo instrumenti financiar, ç’liston instrumentet financiare të listuara ose ndalon tregtimin e çdo instrumenti financiar, ose merr hapat që i çmon të nevojshëm ose të përshtatshëm për të siguruar mbrojtjen e investitorëve.

Me krijimin e arkitekturës ligjore dhe rregullative, sfidë mbetet rritja e besimit në radhë të parë te bizneset për t’u listuar në bursë dhe investitorëve që do të diversifikojnë portofolat e tyre, jo vetëm me obligacione e bono thesari, por edhe duke i dhënë borxh kompanive private me obligacione apo duke u kthyer në aksionerë të bizneseve, që i njohin si klientë ose si investitorë të suksesshëm, ku ata besojnë se fitojnë më shumë se sa të kursejnë në banka.

Burimi: Gazeta Panorama, nr. 6216, date 11.05.2020, fq.17