TEKST
+100%-

Titujt e Borxhit Privat


Në ALSE tregtohen të gjithë titujt e emetuar nga subjekte private (Sh.P.K ose Sh.A) në formën e borxhit afatshkurtër (dëftesa tregtare 3, 6 dhe 9 mujore) dhe borxhit afatgjatë (obligacione korporate, obligacione bashkiake, obligacione hipotekore, obligacione të konvertueshme në aksione etj.). Fillimisht ato emetohen në tregun primar të organizuar nga një bankë e caktuar nga vetë emetuesi. Shoqëritë me pronësi të kufizuar (Sh.P.K) mund të emetojnë vetëm tituj të borxhit afatshkurtër (dëftesa tregtare), ndërsa Shoqëritë aksionare (Sh.A) mund të emetojnë edhe dëftesa tregtare edhe obligacione afatgjata.

Në rastin e ofertës private, në bazë të Ligjit për Titujt, nuk kërkohet listim i detyrueshëm në një bursë (përfshirë ALSE), por mjaft emetues për të qenë të besueshëm për investitorët dhe për t’i garantuar ata që gjithmonë mund të konvertojnë në cash pozicionet e tyre, bëjnë kërkesë pranë ALSE për t’u kuotuar në Tregun Hyrës i cili u mundëson këtyre instrumenteve një dritare likuiditeti. Ndërsa në rastin e ofertës publike, ligji kërkon që titujt të listohen me detyrim në një bursë titujsh, për rrjedhojë ALSE i liston ato në segmentin përkatës të tregut (Tregu Hyrës, Tregu Standard ose Tregu Kryesor), në varësi të përputhjes së kritereve të listimit nga ana e emetuesit.

Më pas zotëruesit mund t’i ri-shesin ato para afatit të maturimit për të kthyer në likuid pozicionin e tyre në Bursën e Titujve ALSE.