TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

SCAN TV – Emisioni Argument – Bursa e Ardhmja e Shqipërisë

//
Kategori

Në emisionin e mbrëmjes së sotme “Argument” nga Enio Civici është diskutuar për Bursën. Ky instrument financiare shumë i përdorur në ekonominë globale është, pak i njohur për vendin tonë.

Në historinë financiare të vendit tonë nuk ka pasur kurrë një bursë tërësisht funksionale, pavarësisht përpjekjeve të para që u bënë në vitet e pluralizmit, pas përmbysjes së regjimit.

Bursa i jep mundësinë qytetarëve të investojnë në kompani shtetërore dhe private, duke i detyruar ato të jenë më transparente me publikun dhe aksionarët e saj. Shpesh ky instrument cilësohet si instrument i ekonomive të zhvilluara dhe shoqërohet me nevojën për një edukim të caktuar financiar. Por, si parashikohet e ardhmja e këtij instrumenti në Shqipëri? Pikërisht për këtë kanë folur dy të ftuarit në studio Artan Gjergji dhe Maksim Caslli.

Pyetur nga moderatori Civici për kuptimin e Bursës, z.Gjergji ka shpjeguar se ajo është një treg ku zhvillohet shitja dhe blerja e një titulli financiar. Vendi ku investitori dhe bizneset që kanë nevojë për fonde bashkohen:

“Bursa në shpjegimin më të thjeshtë është një treg financiar që bën bashkë kërkesën dhe ofertën për të gjetur financim në një treg të lirë. Mënyra se si kjo bëhet është nëpërmjet letrave me vlerë, e cila ndryshe nga “miti” i zakonshëm nuk është  në formën e një bono privatizimi. Letrat me vlerë apo titulli në kuptimin financiar është një kontratë ligjore, e cila lidhet mes dy palëve për të financuar një produkt. Ky treg është për ata që kanë fonde të lira dhe duan t’i investojnë për të marrë një normë kthimi më të lartë. Kemi palën që kanë nevojë për fonde si bizneset dhe qeveria dhe njerëz që duan të investojnë, pasi mbajtja e parasë në xhep ka gjithashtu koston e saj. Gjithë këtë tablo e bashkon së bashku bursa.”

Ndërkohë, eksperti tjetër Maksim Caslli theksoi se Bursa ka nevojë për likuiditet në një ekonomi dhe edukimin e nevojshëm financiar:

“Tregu financiar është fjalë më e gjerë se bursa. Bursa ka nevojë për persona që emetojnë letra me vlerë dhe njerëz që investojnë. Bursa është një institucion ose treg, i cili bën të mundur që blerësit dhe shitësit e  këtyre instrumenteve financiare shkëmbejnë me njëri-tjetrin. Që të ekzistojë bursa duhet të qarkullojë paraja fizike në ekonomi, pra të ketë likuditet. Ne e kemi diçka të tillë. Bursa që ekzistonte më përpara, nuk kishte likuiditet në treg. Bursa ka nevojë dhe për kulturën financiare që shoqërohet bashkë me të. Bursa është edhe rrezik, pasi ne investojmë tek diçka dhe ndoshta norma e kthimit nuk plotësohet.”

Por kush janë format më të njohura financiare të investimit në Shqipëri. Eksperti Caslli e ka shpjeguar se ato janë depozita dhe bonot e thesarit:

“Dy instrumentet më të njohura padyshim janë bonot e thesarit dhe depozitat që janë mjaft të ngjashme, duke i përshkruar si instrumente financiare të thjeshta. Te Banka rrisku i investimit është nëse ajo do të falimentojë dhe ka më pak rreziqe. Nëse blihen bono thesari merr përsipër riskun e qeverisë shqiptare, pra nëse shteti nuk i menaxhon dot shpenzimet dhe shkon drejt falimentimit si Greqia atëherë humbet paratë.”

Ndërkohë, Artan Gjergji ka shpjeguar se Shqipëria tashmë ka një institucion të licencuar me fonde private që mund të operojë mjaft mirë bursën e titujve shqiptarë:

“Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti Mbikëqyrës Financiar kanë dhënë miratimin e tyre për të licencuar Bursën Tregtare të Titujve Shqiptarë. Për herë të parë kemi kemi një institucion të licensuar, kemi një softuer të mrekullueshëm dhe do të jetë i pari institucion jo-bankar ku mund të listohen kompanitë.”

Por që kjo të funksionojë zoti Caslli shpjegoi se është shteti ai që duhet të ndërmarrë shembullin i pari, duke listuar kompanitë, duke rritur dhe besimin e publikut:

“Qeveria ose shteti duhet të arrijnë në konkluzionin se a ja vlen ta incetivojë tregun apo jo. A është kjo diçka e mirë për ekonominë. Unë personalisht besoj se po. Duhet që shteti, i cili është vendimmarrës për shumë kompani, të fillojë e para listimin e kompanive. Shqipëria nuk ka pasur histori bursash. Jemi në një situatë paradoksale ku kompanitë shtetërore janë më pak të gatshme për tu listuar, por nëse shteti nuk bën hapin e parë, privati nuk do ta ndjekë. Kompanitë shtetërore ndikojnë dhe tek rritja e besueshmërisë së publikut, që  ky instrument të bëhet më i besueshëm.”

Për të parë intervistën e plotë klikoni këtu

Geri Kolgega / SCAN