TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Rritet yieldi i bonove 6-mujore – Pjesëmarrje e dobët në ankand, paraqitet vetëm një ofertë

Tregu financiar po shfaq interes të ulët për titujt afatshkurtër të qeverisë shqiptare. Ministria e Financave nxori ditën e martë në shitje bono me maturim 6-mujor, për një vlerë totale prej 2 miliardë lekësh. Por, në ankand u paraqitën vetëm katër kërkesa për të blerë, për një shumë totale prej më pak se 1.2 miliardë lekësh. Ministria e Financave pranoi vetëm kërkesën me çmim më të ulët, në vlerën e 357 milionë lekëve, duke financuar kështu vetëm një pjesë të vogël të huamarrjes së planifikuar. Interesi i dobët nga tregu bëri që yield-i mesatar i ponderuar të rritej në 1.48%, nga 0.96% që kishte qenë në ankandin e fundit, për bonot me të njëjtin afat maturimi.

Në muajt e fundit, kërkesa e investitorëve për të blerë bono në tregun primar është zbehur ndjeshëm dhe kjo po sjell një rritje graduale të normave të interesit. Shpjegimi kryesor duket të jetë se tregu e ka tejkaluar momentin e mbilikuiditetit, që u theksua sidomos nga tetori i vitit 2018, pas emetimit të eurobondit. Specifikisht për titujt me maturim afatshkurtër, ekspertët e sistemit bankar shprehen se normat ende të ulëta të interesit i bëjnë ato pak tërheqëse për bankat. Blerja e tyre bëhet më shumë me qëllime menaxhimi të likuiditetit, sesa për të siguruar përfitime. Një faktor tjetër mund të jetë që shumë banka kanë preferuar të mos investojnë në tituj, duke pritur një rritje të mëtejshme të normave të interesit. Në veçanti për bankat me fuqi domethënëse në tregun e titujve, ulja e pjesëmarrjes mund të jetë edhe një instrument për të nxitur rritjen e normave të interesit.

Ekspertët janë të mendimit se normat e interesit mund të vazhdojnë korrektimin në rritje, por në përmasa të kufizuara dhe në mënyrë graduale. Sinjalet e dhëna nga Banka e Shqipërisë, pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, gjithashtu mund të kenë ndikim në treg. Guvernatori Sejko paralajmëroi që, nëse inflacioni do të vazhdojë të jetë i ulët, së shpejti Banka e Shqipërisë mund ta ulë përsëri normën bazë të interesit. Një lëvizje e tillë do ta frenonte rritjen e interesave në tregun financiar, që gjithsesi ngelen ende pranë niveleve më të ulëta historike, në të gjithë segmentet e tij.

Ersuin Shehu / SCAN