Obligacionet private – Tregut i bashkohet edhe Fibank

Një tjetër kompani e sektorit financiar do të aplikojë huamarrjen përmes obligacioneve.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar prospektin e Bankës së Parë të Investimeve, Fibank, për ofertën private të emetimit të obligacioneve për shumën dy milionë euro. Pas Credins, Fibank bëhet banka e dytë që ka vendosur të marrë hua përmes emetimit të letrave të borxhit. Interesi i biznesit për këto instrumente është në rritje të dukshme gjatë viteve të fundit.

Përveç dy bankave, obligacione me ofertë private kanë emetuar edhe kompani të tjera financiare, si NOA, Fondi Besa dhe Iute Credit. Madje, kjo formë e huamarrjes është shtrirë edhe në kompani jashtë tregut financiar, si Balfin apo Digitalb. Këto zhvillime tregojnë se potenciali i tregut për instrumentet e Bursës po rritet. Deri tani, emetuesit e obligacioneve i gjejnë vetë blerësit për obligacionet e tyre, në formë private. Kjo ndodh edhe sepse ende nuk është e mundur që obligacionet të shiten me ofertë publike.

Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE, që nga shkurti i këtij viti, është ligjërisht e licencuar për të tregtuar letra me vlerë të kompanive private. Por, praktikisht kjo ende nuk është e mundur, sepse regjistrari i Bursës, ALREG, duhet ndërkohë të licencohet edhe nga Banka e Shqipërisë, si sistem pagesash për shlyerjen e veprimeve që do të kryhen me titujt. Pritet që procesi ligjor dhe teknik të mbyllet deri në vjeshtën e këtij viti, duke mundësuar që kompanitë e interesuara të mund të shesin obligacione ose aksione të tyre me ofertë publike në bursën ALSE.

Ersuin Shehu/SCAN