Obligacionet e kompanive private prekën vlerën e 7.5 miliardë lekëve në 2019

Vlera e obligacioneve të emetuara me ofertë private nga kompanitë shqiptare arriti në rreth 7.5 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vlera e këtyre instrumenteve është sa rreth 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rreth 53% e vlerës së obligacioneve të emetuara është në lekë, 38% në euro dhe 3% në dollarë amerikanë.

Ligjërisht, obligacionet me ofertë private mund të ofrohen te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Vitin e kaluar, AMF miratoi pesë prospekte lidhur me emetimet e obligacioneve me ofertë private për katër emetues, nga të cilët dy banka dhe dy institucione mikrokredie.

Ndërkohë, në gjysmën e parë të këtij viti AMF ka miratuar edhe katër prospekte të tjera emetimesh, për një vlerë totale prej 11.5 milionë eurosh.

Prej vitit 2011, shoqëritë tregtare në Shqipëri kanë emetuar me sukses obligacione për më shumë se 110 milionë euro. Deri tani në tregun shqiptar të kapitaleve emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private, edhe për shkak të mungesës së një tregu të titujve. AMF nënvizon se, për shkak të natyrës së tyre, obligacionet me ofertë private nuk krijojnë likuiditet në treg.

Por, që prej shkurtit 2019, emetimi dhe tregtimi i tiujve të kompanive private mund të bëhet në Bursën Shqiptare të Titujve, ALSE. Oferta publike do t’i bënte këto instrumente të tregtueshme dhe likuide, duke krijuar mundësinë e shitjes së tyre në çdo kohë ose përdorimin e tyre si kolateral financiar për marrjen e huave.

Përdorimi i instrumenteve financiare të bursës ka nevojë për një shtysë fillestare dhe përvoja e vendeve të rajonit ka treguar se kjo shtysë duhet të vijë nga sektori publik.

Për fat të keq, në Shqipëri qeveria nuk ka ndërmarrë ende nisma konkrete për të aktivizuar tregun e kapitalit. Megjithatë, muajt e fundit Ministria e Financave dhe Ekonomisë po studion idenë që huamarrja e kompanve publike të bëhet përmes obligacioneve dhe jo më ekskluzivisht përmes kredive bankare.

Burimi: Paraja.net