TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Obligacionet 10-vjeçare me 5.85% – Kuponi prek nivelin më të ulët në tre vjet

Kuponi i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë zbriti në ankandin e të hënës në nivelin më të ulët që prej vitit 2016. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kuponi i obligacioneve ra në 5.85%, nga 6.8% që kishte qenë në ankandin e fundit, të zhvilluar në tetorin e vitit të kaluar.

Kundrejt një shume prej katër miliardë lekë obligacionesh të nxjerra në shitje nga qeveria shqiptare, kërkesat e paraqitura në ankand kishin vlerën e mbi 9 miliardë lekëve. Kjo shpjegon rënien e ndjeshme të normës së interesit.

Tregu financiar në vend duket se ka sasi shumë të mëdha likuiditetesh të lira. Në kërkim për kthime të larta, investitorët janë dyndur në ankandin e instrumenteve që ofrojnë kthimin më të mirë në tregun e brendshëm financiar. Konkurrenca e lartë të ankand ka sjellë rrjedhimisht edhe uljen e ndjeshme të kuponit të obligacioneve.

Në fakt, rënia e normave të interesit për titujt qeveritarë është një tendencë që është theksuar që nga mesi i vitit të kaluar. Kërkesa e moderuar e qeverisë për hua dhe likuiditetet e shumta të lira në lekë kanë sjellë pjesëmarrje të lartë në ankande dhe norma më të ulëta interesi.

Rritja e likuiditetit në lekë ka ardhur si rezultat i disa faktorëve. Disa prej bankave të sistemit e kanë konvertuar kapitalin e tyre në monedhën vendase. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka injektuar sasi të konsiderueshme të monedhës vendase treg, si përmes marrëveshjeve të riblerjes, ashtu edhe përmes blerjes së euros.

Nga ana tjetër, ecuria e zbehtë e kreditimit të ekonomisë nuk iu jep bankave, që janë blerësit kryesorë të titujve qeveritarë, shumë alternativa për të investuar paratë që administrojnë.

Kjo situatë po ndihmon zgjatjen e ciklit të normave të ulëta të interesit në ekonomi. Për sa kohë që interesat e bonove dhe obligacioneve janë të ulëta, kjo do të ndikojë në ruajtjen e normave të ulëta edhe për depozitat dhe kreditë bankare.

Ersuin Shehu/SCAN