TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Normat e ulëta të interesit – Bien investimet e individëve në bono dhe obligacione

Interesi i individëve për të blerë bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare është në rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë, individët morën pjesë në ankandet e letrave me vlerë në një shumë rreth 2.1 miliardë lekë më të ulët nga ajo që u maturohej për të njëjtën periudhë kohore.

Kjo tregon se një pjesë e mirë e instrumenteve të maturuara të individëve nuk janë rinvestuar. Banka Qendrore konstaton se kjo tendencë ka vijuar për 4 tremujorët e fundit. Shpjegimi kryesor mund të jetë rënia në nivele mjaft të ulëta e normave të interesit.

Pavarësisht se rënia u frenua në tremujorin e dytë të këtij viti, sërish yield-et ngelën pranë niveleve më të ulëta historike dhe nuk janë shumë joshëse për investitorët. Sidoqoftë, shtimi i kërkesës së qeverisë për huamarrje, në raport me dy tremujorët e mëparshëm, e ka rikthyer rritjen e kurbës së yield-eve.

Në tremujorin e dytë të vitit, qeveria zgjeroi huamarrjen e brendshme me 7.8 miliardë lekë, kryesisht përmes emetimit të obligacioneve referencë 3-vjeçare dhe 5-vjeçare. Ky borxh i ri u financua në pjesën më të madhe prej bankave tregtare.

Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, në mesin e këtij viti individët mbanin rreth 14.1% të borxhit të brendshëm, ndërkohë që një vit më parë pjesa e tyre ishte ndjeshëm më e lartë, me 15.9%. Ndërkohë, bankat tregtare ngelen financueset kryesore të borxhit të brendshëm me 61.1% të totalit, nga 60% që mbanin në mesin e vitit të kaluar.

Ersuin Shehu/ SCAN