TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Njoftim për Shtyp – Bursa Shqiptare e Titujve ALSE dhe Bursa e Vienës bashkojnë forcat në shpërndarjen e të dhënave për tregun

Artan Gjergji and Ludwig Nießen duke nënshkruar kontratën.

Vienë/Tiranë, 17 Qershor 2019

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE dhe Bursa e Vienës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të dhënat e tregut. Ofruesit e informacionit financiar në treg, të ashtuquajturit shitës të dhënash (data vendors), mund të aksesojnë të dhënat e tregut të titujve në Shqipëri nëpërmjet platformës qendrore të shpërndarjes së të dhënave që administron Bursa e Vienës. Të dhënat e tregut të titujve nga Shqipëria mund të aksesohen potencialisht në kohë reale nga më shumë se 18,000 përdorues në rreth 60 vende të ndryshme. Kjo platformë qendrore e shpërndarjes së të dhënave sipas parimit me një sportel (one-stop shop) redukton në maksimum punën për klientët në aspektin administrativ, ligjor dhe teknologjisë së informacionit. Bursa e Vienës shpërndan të dhëna financiare nga 11 shtete nëpërmjet kësaj platforme qendrore: përditëson të dhënat për tregjet e titujve nga Shqipëria, Austria, Bosnia dhe Hercegovina, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Kazakistani, Maqedonia e Veriut, Serbia e Sllovenia si dhe të dhënat e tregtimit nga Bursa Austriake e Energjisë (EXAA).

“Me mbështetjen e donatorit zvicerian SECO dhe Bankës Botërore, Shqipëria ka përgatitur projekt-ligje në fushën e fondeve të investimeve dhe në tregun e kapitaleve për të përafruar më shumë legjislacionin shqiptar me direktivat e BE-së. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po punojnë së bashku për të licensuar dhe mbikëqyrur depozitarin qendror për titujt jo-qeveritarë, i cili pritet t’i japë një zhvillim të shpejtë tregut të titujve në Shqipëri. Bashkëpunimi me platformën qendrore të shpërndarjes së të dhënave që administron Bursa e Vienës, do të krijojë një vlerë të madhe në drejtim të rritjes së besimit në tregun vendas si dhe do të ndihmojë në promovimin e tregut të titujve të Shqipërisë në Europë,” thotë Artan Gjergji, Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE. “Bashkëpunimi ynë me Bursën Shqiptare të Titujve ALSE tregon se si dy bursa mund të përfitojnë nga pikat e forta dhe mundësitë e njëra-tjetrës. Jemi krenarë të ndajmë njohuritë dhe teknologjinë tonë për të rritur vizibilitetin në shkallë ndërkombëtare dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet e BE-së të një tregu të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit,” u shpreh Ludwig Nießen, Drejtori i Përgjithshëm Operacional dhe Teknik (COO & CTO) i Bursës së Vienës.

Për të lexuar Njoftimin për Shtyp të Bursës së Vienës, klikoni ketu

Rreth Bursës Shqiptare të Titujve ALSE
Bursa Shqiptare e Titujve ALSE është e vetmja bursë që ushtron veprimtarinë aktualisht në Shqipëri. Ajo filloi si një projekt ambicioz në vitin 2014, i mbështetur financiarisht nga disa banka dhe institucione financiare në vend, për të kulmuar me marrjen e licensës për ushtrimin e aktivitetit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Korrik 2017. ALSE është një treg klasik i organizuar titujsh në Shqipëri, i cili i hapi zyrtarisht dyert për tregtim në Shkurt 2018, duke u ofruar operatorëve të tregut një platfromë elektronike tregtimi krejtësisht të automatizuar. Në ditët e sotme, në ALSE mund të tregtohen të gjitha klasat e titujve përveç titujve derivativë. Misioni i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE është të ofrojë një treg eficient dhe transparent me një mekanizëm të ndershëm e të paanshëm për përcaktimin e çmimeve të titujve, i cili do t’u mundësojë kompanive shqiptare rritjen e kapitalit dhe do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë.