TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Nis rritja e interesave të obligacioneve të qeverisë, nga kërkesa më e lartë për borxh të ri

Interesat  e letrave të borxhit qeveritar kanë rinisur rritjen gjatë dy muajve të fundit, teksa efektet e Eurobondit janë drejt përfundimit dhe kërkesa për financimin e deficitit buxhetor me borxh po rriten.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, interesi fiks i obligacionit dyvjeçar arriti më 6 qershor 1,99%, niveli më i lartë i shënuar këtë vit për këtë afat maturimi.

Në raport me ankandin e mëparshëm, interesi shënoi rritje me 0.35 pikë përqindje. Pak a shumë ecuri të ngjashme kanë pasur edhe emetimet e maturimeve të tjera, teksa shihet se qeveria ka shtuar emetimin e bonove të thesarit 12 mujore.

Interesi në këtë maturim shënoi 1.61% në ankandin e datës 3 qershor, me një rritje 0.16 pikë përqindje  në raport me ankandin e mëparshëm.

Oferta për blerjen e borxhit ka qenë më e lartë se kërkesa e qeverisë por diferenca ka ardhur duke e ngushtuar, për shkak se qeveria ka rritur kërkesën për borxh sqarojnë burimet nga tregu.

Në tremujorin e parë të vitit, interesat e instrumenteve te borxhit të qeverisë pothuajse u përgjysmuan në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ulja e interesave po ndikohet nga emetimi i Eurobondit vitin e kaluar, me vlerë 500 milionë euro. Nga kjo shumë, 350 milionë euro shkuan për rifinancimin e Eurobondit aktual, ndërsa pjesa tjetër prej 150 milionë eurosh po përdoret për financimin e deficitit buxhetor.

Për rrjedhojë, qeveria pati pak hapësirë se vitin e kaluar për financim nga tregu i brendshëm, teksa oferta e bankave mbeti e njëjtë. Ky fenomen ka sjellë rënien e interesave për të gjitha maturimet.

Drejtimet kryesore ku bankat shqiptare i investojnë kursimet e qytetarëve janë huaja për ekonominë dhe blerja e borxhit të qeverisë. Për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme dhe kërkesës së vakët të ekonomisë për kredi, bankat kanë limituar huanë, teksa kanë rritur interesin për të blerë borxhin e qeverisë.

Sipas një analize të Ministrisë së Financave, në tregun primar të titujve shtetërorë, normat e interesit për pothuajse të gjithë titujt shtetërorë kanë ndjekur një trajektore rënëse gjatë vitit 2018. Në periudhën afatmesme parashikimet e normave të interesit flasin për një rritje graduale duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 2019.

Revista Monitor