TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Miratohet projektligji “Për Tregjet e Kapitalit”

Kuvendi miratoi sot me datë 14.05.2020 në seancë plenare projektligjin “Për Tregjet e Kapitalit”. Projektligji përmirëson kuadrin aktual ligjor dhe i përgjigjet dinamikës së zhvillimit të tregjeve të kapitalit në vend. Ai synon nxitjen e zhvillimit dhe integritetit të tregjeve të kapitalit, rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e investitorit përmes vendosjes së standardeve më të larta. Hartimi i ligjit të ri u realizua me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore, si pjesë e Projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”.

Projektligji është në përputhje me:

  • Direktivën për Tregjet e Instrumenteve Financiare (MIFID II) si dhe rregullore të tjera të Bashkimit Evropian në fushën e tregjeve të kapitalit;
  • Parimet e Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO) dhe me udhëzimet e Autoritetit Evropian të Letrave me Vlerë dhe Tregjeve (ESMA).

Objektivat kryesore të projektligjit janë:

  • Mbrojtja e interesave të investitorëve, nëpërmjet vendosjes së standardeve më të larta apo klasifikimit të tyre në investitorë profesionistë, investitorë të kualifikuar, palë e pranueshme apo investitorë jo profesionistë;
  •  Vendosja e kërkesave më strikte për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e shoqërive komisionere dhe operatorëve të tjerë të tregut të kapitaleve;
  • Nxitja e investimeve të huaja përmes afrimit të shoqërive të huaja komisionere për të vepruar në tregun vendas të kapitaleve;
  •  Vendosja e rregullave për mirëfunksionimin e tregut, përfshirë dhe Bursën;
  • Njohja dhe rregullimi i veprimtarisë së platformave të tjera të tregtimit, duke nxitur njëkohësisht konkurrueshmërinë ndërmjet tyre;
  • Krijimi dhe rregullimi i veprimtarisë së institucioneve me rëndësi në infrastrukturën e tregut, siç janë Depozitari Qendror i Titujve apo Shtëpia e Klerimit;
  • Nxitja e integritetit të tregut nëpërmjet rritjes së kërkesave për transparencë për emetuesit dhe shoqëritë e listuara, si dhe për operatorët dhe institucionet e tregut.

Ligji i ri parashikon edhe rritjen e kompetencave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të kryer hetime në funksion të forcimit të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator të tij.

Burimi: Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare