Kuvendi rrëzon dekretin e Presidentit, miratohet ligji “Për tregjet e kapitalit”

Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi sot dekretin e Presidentit të Republikës që kthente për rishqyrtim ligjin “Për tregjet e kapitalit”. Me rrëzimin e dekretit, ligji miratohet përfundimisht dhe pritet të krijojë një kuadër më të qartë dhe më stimulues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vend.
Ligji i ri do të zëvendësojë ligjin e vitit 2008 “Për titujt”, që sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrisë së Financave paraqiste boshllëqe dhe kërkesa të paqarta. Sipas relacionit të ligjit, kërkesat e paqarta lidhen me prospektin e obligacioneve dhe të aksioneve, shndërrimin në letra me vlerë etj.
Ligji vendos rregulla mbi shmangien e manipulimit të tregut dhe praktikave të tjera të paligjshme të tregtimit, si dhe rregulla për krijimin e institucioneve të reja si MTF (multilateral trading facility), OTF (organised trading facility), Depozitarit Qendror të Titujve, si dhe Agjencisë së Vlerësimit të Rrezikut të Kreditit.
Ligji i ri do të sjellë gjithashtu më shumë kompetenca për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në lidhje me abuzimet me tregun dhe me sanksionet për këto raste. Në të parashikohet rritja e kompetencave të AMF-së në tregjet e kapitalit, sidomos në procesin hetimor të praktikave të paligjshme të tregtimit dhe vendosjen e gjobave administrative.Kuvendi vlerëson se ligji krijon hapësira për zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe krijimin e kushteve për tregje kapitali transparente, të drejta dhe të mirërregulluara.
Ligji do të hyjë fuqi më datë 1 shtator 2020.

Prej dy vitesh, Shqipëria ka një bursë funksionale, të angazhuar deri tani në tregtimin dytësor të letrave të borxhit të qeverisë shqiptare. Megjithatë, Bursa ALSE është tashmë ligjërisht dhe teknikisht gati për të mundësuar tregtimin e titujve të shoqërive tregtare.

Burimi: Paraja.net