Kuvendi miraton 5 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me votat e pozitës 5 anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke i dhënë fund ngërçit dy mujor të mosfunksionimit të këtij Këshilli për shkak të mungesës së kuorumit.

Pesë anëtarët e rinj të përzgjedhur janë Ridvan Bode, Artan Hoxha, Suela Popa, Luljeta Minxhozi, Edlira Luçi. Nuk është votuar ende kandidatura e Arben Malajt, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën dëgjimore në Komisonin e Ekonomisë pak ditë më parë për shkak se ishte jashtë vendit dhe nuk ka prezantuar platformën, si rrjedhojë nuk mund të bëhet ende votimi në Kuvend.

Në total, Këshilli Mbikëqyrës ka nëntë anëtarë, por vetëm gjashtë prej tyre u kishte mbaruar mandati. Tre anëtarët e tjerë janë Gent Sejko, që është aktualisht dhe guvernator i Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, që është zv/guvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë dhe z.Tonin Kola.

Me këtë kompozim të ri, Këshilli Mbikëqyrës paraqitet i mirëformatuar dhe me rritje cilësore në drejtim të fushës fiskale. Ai ka në përbërje dy ish ministra financash që kanë shërbyer si të tillë në të dy kahet. Z.Bode ka shërbyer si ministër financash në periudhën 1996-1997 dhe nga shtatori 2005 deri në shtator 2013 gjatë kohës së qeverisjes së Partisë Demokratike. Z.Malaj ishte ministri i financave të socialistëve në periudhën 1997-1998 dhe 2003-2005.

Edhe në fushën bankare, anëtarët e Këshillit kanë përvojë të konsiderueshme. Guvernatori aktual u zgjodh dhjetor 2014 dhe erdhi pas një përvoje të gjatë në bankat e nivelit të dytë. Edhe Natasha Ahmetaj është e ardhur nga sistemi bankar. Përvojë në sistemin e pagesave ka edhe Suela Popa, e cila ka qenë drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ose Agjencisë së Pagesave, që menaxhonte fondet e bujqësisë.

Nuk mungojnë në këtë Këshill as akademikët.  Edlira Luçi është pedagoge e njohur, shefe e departamentit te Financës tek Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Artan Hoxha dhe Luljeta Minxhozi vijnë gjithashtu nga akademia, i pari në fushën juridike dhe e dyta në atë ekonomike.

I vetmi koment që do të mund të bënim në këtë rikompozim të Bordit të BSh, do të ishte mungesa e një emri të një ekonomisti të mirëfilltë me eksperiencë direkte në fusha të rëndësishme të fokusit të BSH si politika monetare, kontrolli i inflacionit apo edhe mbikëqyrja e kursit të këmbimit, por gjithësesi, gjykojmë se kemi të bëjmë me një rritje të nivelit përfaqësues në kompozimin e ri.

GAZETA MONITOR