TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Interesat në rritje – Bonot 12-mujore prekin nivelin më të lartë në 15 muaj

Vjeshta ka nisur me një rritje të mëtejshme në interesat e bonove të thesarit, që tashmë kanë arritur nivelin më të lartë që nga qershori i vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u shitën në ankandin e kësaj jave me një yield mesatar të ponderuar prej 2.26%.

Në katër muajt e fundit, yield-i mesatar i bonove 12 mujore është dyfishuar, ndërsa rritja është shtrirë edhe në instrumentet e tjera të borxhit qeveritar. Në analizën e saj, Banka e Shqipërisë gjykon se ndryshimi i kahut të interesave është diktuar kryesisht nga rritja e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm pas tremujorit të dytë. Në ankandet e fundit, tregu nuk po shfaq shtrëngime likuiditeti dhe interesi  për të investuar në letra me vlerë ka vijuar të jetë i lartë.

Këtë javë kërkesat e paraqitur për blerje në ankand kishin vlerën e 10.7 miliardë lekëve, ndjeshëm më shumë në raport me shumën prej 9.7 miliardë lekësh të shpallur për financim nga Ministria e Financave. Kjo dëshmon se rritja e interesave, përveçse me kërkesën më të lartë për financim nga ana e qeverisë, lidhet edhe me ndryshimin e pritshmërive të agjentëve të tregut për një korrigjim në rritje të normave të interesit.

Ersuin Shehu / SCAN