TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Interesat në rënie – Bien edhe për obligacionet trevjeçare

Tregu financiar në vend ngelet mjaft likuid në muajt e parë të vitit dhe kjo përkthehet në kërkesë të lartë për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë. Në ankandin e obligacioneve trevjeçare që u zhvillua të hënën, kërkesat e paraqitura arritën vlerën e 10.4 miliardë lekëve, kundrejt 4.6 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim.

Kuponi i obligacioneve rrejdhimisht rezultoi i ulët, në nivelin 2.3%. Ankandet e obligacioneve trevjeçare kanë një frekuencë më të rrallë, megjithatë, në ankandin e fundit, të organizuar në prill të vitit të kaluar, kuponi kishte qenë 3.4%.

Tendenca e uljes së interesave është e dukshme për të gjitha maturitetet e titujve të qeverisë. Bonot 12 mujore i janë afruar nivelit të 1.2%, ndërsa obligacionet dy vjeçare kanë zbritur afër nivelit 1.9%.

Zbritja e interesave në këto nivele lidhet së pari me uljen e huamarrjes së brendshme nga qeveria. Vitin e kaluar, i gjithë deficiti buxhetor u financua në tregun e jashtëm, kryesisht përmes eurobondit të emetuar në muajin tetor.

Këto para u përdorën pjesërisht edhe për të rifinancuar borxhin e brendshëm, çka çliroi më shumë likuiditete të lira për investitorët dhe sidomos për bankat. Fakti që kredia për sektorin privat është ende e ngadaltë kontribuon gjithashtu në këtë drejtim. Në mungesë të alternativave të tjera, fondet e lira po tentohen të investohen sërish në bono dhe obligacione, duke ndikuar kështu në uljen e normave të interesit.

Kjo situatë po ndihmon në ruajtjen e çmimit të ulët të parasë në ekonomi, në përputhje me sinjalet e përcjella nga politika monetare. Megjithëse supozohet që stimuli monetar në ekonomi të fillojë të reduktohet gradualisht, me rritjen e inflacionit dhe ngushtimin e hendekut të prodhimit, duket se tregu financiar ende nuk po ndikohet nga pritshmëritë për rritje të interesave.

Ersuin Shehu/SCAN