TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Efektet e “ndarjes” së BKT-së – Sistemi bankar zvogëlohet, bie përqendrimi i tregut

Shkëputja e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë nga banka mëmë në Shqipëri ka sjellë ndryshime domethënëse në shifrat e sistemit bankar shqiptar gjatë tremujorit të parë të vitit.

Totali i aktiveve ka rënë, përfshi këtu totalin e huasë bankare për ekonominë. Por, njëkohësisht, ndarja ka sjellë edhe uljen e portofolit të kredisë jorezidente, rënien e pjesës së tregut të brendshëm të BKT-së dhe një përqendrim më të ulët të tregut te bankat më të mëdha.

Dega e BKT-së në Kosovë nisi aktivitetin si bankë më vete që nga 1 janari i këtij viti, pasi ishte rritur në përmasa të tilla që nuk e lejonin më të vepronte si degë e bankës shqiptare. Rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës përcaktojnë që subjektet të cilat arrijnë në 10% pjesë tregu duhet të veprojnë si banka të pavarura.

Shkëputja e degës së Kosovës e ka ri dimensionuar disi bilancin individual të BKT-së në Shqipëri, duke sjellë një ulje të totalit të aktiveve me 43 miliardë lekë. Kjo është reflektuar edhe në shifrat sistemike. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars totali i aktiveve të sistemit bankar shqiptar ra në

1427 miliardë lekë, me një rënie prej 1.8% që nga fillimi i vitit. Ndërkohë, totali i aktiveve jo rezidente ra me afërsisht 11% ose 41 miliardë lekë, afërsisht në përmasën BKT-Kosovë. Në totalin e kredisë, efekti i ndarjes së BKT-së ka qenë më i kufizuar, për shkak të rritjes së kënaqshme të huadhënies në tremujorin e parë të vitit. Në fund të marsit, huaja për ekonominë shqiptare zbriti në 523 miliardë lekë, 2.8% më pak krahasuar me fundin e vitit 2018.

Ndarja në fjalë ka sjellë edhe një ulje të përqendrimit të sistemit bankar në tre bankat më të mëdha. Pjesa e tyre e ndaj totalit të aktiveve ka zbritur në 57.2%, nga 58.4% që ishte në fund të vitit të kaluar. Ndërsa pesha ndaj totalit të depozitave ka rënë edhe më shumë në 45.5%, nga 47.2% që kishte qenë në fund të dhjetorit.

Ersuin Shehu/SCAN