TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Credins dhe ABI zgjerojnë licencën e brokerit për të tregtuar tituj të kompanive private

Credins Bank dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) janë licencuar zyrtarisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për të tregtuar edhe tituj të kompanive private. Me një vendim të datës 19 dhjetor, Bordi Drejtues i AMF ka miratuar zgjerimin e fushës së veprimtarisë së këtyre dy institucioneve për ushtrimin e veprimtarisë së tregtimit të titujve në “Bursën Shqiptare të Titujve ALSE” dhe në tregun me pakicë në Republikën e Shqipërisë.

Më parë, licenca e brokerimit kufizohej në tregtimin e letrave me vlerë të qeverisë. Me hapjen e rrugës për tregtimin e titujve të kompanive private në bursën ALSE, Credins dhe ABI janë licencuar edhe si broker për kompanitë që do të jenë të interesuara të tregtojnë obligacione apo aksione të tyre në bursë.

Pas marrjes së të gjitha licencave të nevojshme nga depozitari ALREG, në fund të vitit të kaluar, tashmë ligjërisht nuk ka më pengesa që shoqëritë tregtare shqiptare të hyjnë në bursë, qoftë për të rritur kapitalin përmes shitjes së aksioneve ose për të siguruar huamarrje nëpërmjet titujve të borxhit.

Hyrja e kompanive private në bursë do të shënonte një zhvillim historik, jo vetëm për tregun financiar, por për të gjithë ekonominë shqiptare. Në vitet e fundit, disa kompani, kryesisht institucione financiare, kanë aplikuar huamarrjen përmes obligacioneve me ofertë private.

Ndërkohë, ka ende shpresa që bursa të mund të marrë një shtysë nga kompanitë publike. Në vitin 2018, kryeministri Rama paralajmëroi hyrjen në bursë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, por ky proces është i lidhur me ndarjen e këtij operatori në disa kompani të veçanta, që deri tani ka ecur me hapa të ngadaltë.

Burimi: Portali Paraja.net