TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Credins Bank dhe Fibank, emetim të ri obligacionesh

Credins Bank dhe Fibank do të kryejnë një emetim të ri të obligacioneve me ofertë private. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka njoftuar se në mbledhjen e ardhshme të Bordit Drejtues do të shqyrtojë prospektin e ofertës së obligacioneve afatgjatë të dy bankave të mësipërme.

Credins Bank kryen rregullisht prej më shumë se shtatë vitesh emetim të obligacioneve me ofertë private, të konvertueshme në aksione të zakonshme të bankës. Qëllimi kryesor është përdorimi i tyre si kapital rregullator i nivelit të dytë. Mbështetur në informacionin e pasqyrave financiare të Credins Bank, në 31 mars 2020 borxhi i varur i bankës kishte vlerën e rreth 6.9 miliardë lekëve.

Vitin e kaluar, edhe Fibank realizoi për herë të parë emetimin e obligacioneve me ofertë private, për një vlerë totale prej dy milionë eurosh. Në rastin e Fibank, huamarrja përmes obligacioneve nuk lidhet shumë me nevojat për kapital rregullator, sesa me synimet për zgjerim të aktivitetit të bankës. Sipas të dhënave të raportuara në muajin mars, Fibank ka një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit në nivelin 16.71%, ndërsa është gjerësisht sipër kërkesave rregullatore edhe me kapitalin e nivelit të parë.

Një tjetër bankë që nisi emetimin e obligacioneve me ofertë private këtë vit ishte edhe Union Bank. Ashtu si në rastin e Credins, emetimi i Union Bank kishte si qëllim kryesor shtimin e kapitalit rregullator.

Në të gjitha rastet, shitja e obligacioneve është bërë me ofertë private, te investitorë të përzgjedhur nga vetë emetuesi. Megjithatë, rritja e numrit të institucioneve financiare që po adoptojnë përdorimin e instrumenteve të borxhit mund të vlerësohet si një zgjerim i premisave për të pasur një treg funksional kapitali në Shqipëri. Prej këtij viti, bursa ALSE është e gatshme të tregtojë edhe titujt e kompanive private.

Burimi: Paraja.net