TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Borxhi publik, 2019-a u mbyll me nivelin 65.84%

Treguesit e borxhit publik për vitin e shkuar tregojnë se stoku në total arriti 65.84% në fund të dhjetorit, me një rënie prej 2 pikë% në raport me fundin e vitit 2018. I kthyer në vlerë, borxhi publik ishte 1.11 trilionë lekë dhe pjesa më e madhe e këtij borxhi i takon atij të brendshëm 35.37%, ndërkohë që stoku i borxhit jashtë ishte 30.48%, raportoi Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Në vitin 2019, orientimi i qeverisë ka qenë drejt instrumenteve afatgjatë të borxhit si për sa u takon emetimeve në tregun e brendshëm, edhe atyre në tregun e jashtëm.

Në tregun e brendshëm, tek instrumentet afatshkurtër, vihet re se një rënie e mëtejshme e ankandeve në bono thesari 6-mujore ndërkohë që bonot 12-mujore kanë vijuar të mbeten pak a shumë në të njëjtat nivele. Tek instrumentet afatgjatë, në raport me vitin 2018, ka një rritje të dukshme të emetimeve në obligacione 10-vjeçare , atyre 5-vjeçare dhe 3-vjeçare, ndërsa në rënie në raport me një vit më parë janë obligacionet 2-vjeçare. Në instrumente afatgjatë, stoku i borxhit llogaritet 388 miliardë lekë, kurse një vit më parë ishte 370 miliardë lekë.

Parë në këndvështrimin e monedhës në të cilën është ky borxh i tregut të brendshëm rezulton që në lekë të jenë 582 miliardë lekë.

Tek mbajtësit e borxhit të brendshëm, të dhënat tregojnë se 62.22% i ka sektori bankar, me një rritje të pjesëmarrjes së tij në raport me vitin 2018 kur ishte mbajtës i 61.25% të borxhit. Individët kanë ulur praninë e tyre në përqindje, duke përfaqësues vetëm 13.41% të borxhit të brendshëm ndërkohë që një vit më parë, mbanin 15.15%. Në rritje ishin edhe institucionet financiare jobanka.

Në ndjekje të politikës monetare lehtësuese me një interes të normës bazë të lekut në një minimum historik 1%, trendi i interesave të letrave me vlerë ka qenë në rënie edhe në 2019-ën. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se interesi për obligacionet 10-vjeçare ishte 5.39% kurse në vitin 2018 ishte 6.811%.

Norma më të ulëta ka pasur edhe për obligacionet 7-vjeçare, 5-vjeçare e kështu me radhë për secilin nga instrumentet.

Niveli i ulët i interesit shpjegon edhe rënien e interesit për të marrë pjesë në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë.

Burimi: REVISTA MONITOR