TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Borxhi i ri, 85% do të sigurohet nga tregu i brendshëm gjatë tre viteve të ardhshme

Revista Monitor

Për ezaurim të hapësirave për financim të jashtëm nëpërmjet eurobondit 500 milionë euro, qeveria synon të plotësojë nevojat me borxh të ri nga tregu i brendshëm gjatë tre viteve në vijim.

Sipas Ministrisë së Financave në programimin afatmesëm të borxhit, rreth 85% e nevojave të përgjithshme për financim do të realizohen nëpërmjet burimeve të brendshme. Niveli i financimit të brendshëm në terma neto do të synohet të mbahet i qëndrueshëm duke mos tejkaluar kapacitetet optimale të tregut (rreth 20-22 miliard Lek në vit).

Duke qenë se normat e interesit priren të qëndrojnë ende në nivele të ulëta, financimi i brendshëm do të orientohet kryesisht në drejtim të titujve afatgjatë me norma interesi fikse, me qëllim reduktimin e risqeve.

Financimi i huaj do të shërbejë si një plotësues i mirë i burimeve të brendshme dhe përveç të tjerash edhe si optimizues i kostove të borxhit.

Ky financim do të mbështetet:  i) në huatë me terma pjesërisht të buta, të cilat do të financojnë projektet ekzistuese dhe projektet e reja të konsideruara si prioritare nga Qeveria për zhvillimin e vendit; ii) në huatë me terma të buta të akorduara nga institucionet ndërkombëtare financiare për të mbështetur politikat zhvillimore të vendit; dhe iii) në instrumentet financiare të tregjeve të kapitalit mbi baza oportuniste dhe kryesisht për të mundësuar një menaxhim aktiv të detyrimeve të borxhit dhe optimizuar rrisqet e portofolit.

Duke nisur nga viti 2017 në buxhetin e shtetit janë programuar kontigjenca të veçanta me qëllim absorbimin deri në një farë mase të një rasti potencial të rritjes së normave të interesave dhe shpenzimeve respektive. Niveli i këtij fondi kontigjent për vitin 2019 është në masën 4 miliardë lekë, aq sa ka qenë alokuar respektivisht edhe në vitin 2017 e 2018.

Megjithatë Ministria e Financave thotë se ekziston risku i një rritje më të shpejtë të normave të interesit. Kjo mund të vinte nga goditje të forta negative qoftë prej amientit të jashtëm ekonomik, ashtu edhe në atë të brendshëm ose kombimin i të dyjave. Në rast të materializimit të një risku të tillë, pra nëse rritja e normave të interesit do të ishte mjaft e fortë dhe nuk do të mbulohej nga kontigjencat e parashikuara aktualisht në buxhet, atëherë kjo do të krijonte presione negative në deficitin fiskal, borxhin publik e rrjedhimisht në qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas ministrisë së Financave kjo do të kërkonte masa korrektuese për të minimizuar efektet negative zinxhir që inicohen dhe për të rivënë nën kontroll parametrat e financave publike si dhe parametrat e tjerë të stabilitetit makroekonomik të vendit.