TEKST
+100%-

Single Blog Title

This is a single blog caption

Bien interesat – Bonot 12-mujore me rekord të ri

Interesi i bonove 12 mujore preku një minimum të ri historik këtë javë. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, interesi mesatar i ponderuar zbriti në 1.16%, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kërkesa e investitorëve edhe në ankandet e të martës ishte e lartë, me 10.7 miliardë lekë për një shumë të shpallur në ankand prej 9 miliardë lekësh. Që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, ulja e interesave ka prekur letrat e borxhit të e qeverisë për të gjitha maturitetet. Obligacionet dyvjeçare qëndruan sërish të premten poshtë kufirit të 2%.

Kjo gjendje lidhet me likuiditetin e lartë në treg dhe kërkesën më të ulët të qeverisë për para në tregun e brendshëm. Në tetor, qeveria shqiptare emetoi eurobonde për një vlerë prej 500 milionë eurosh dhe një pjesë e kësaj shume ka shërbyer për të zëvendësuar huamarrjen e brendshme.  Banka e Shqipërisë ka injektuar sasi të mëdha leku në treg, përmes marrëveshjeve të riblerjes dhe përmes blerjes masive të valutës. Gjithashtu, disa banka kanë konvertuar kapitalin në lekë, duke krijuar më shumë fonde të lira në monedhën vendase.

Në mungesë të alternativave të tjera, këto fonde po tentohen të investohen sërish në bono dhe obligacione, duke ndikuar kështu në uljen e normave të interesit. Gjendja likuide e tregut po ndihmon në ruajtjen e çmimit të ulët të parasë, në përputhje me sinjalet e përcjella nga politika monetare. Megjithëse pritet që stimuli monetar në ekonomi të fillojë të reduktohet gradualisht, duket se tregu financiar ende nuk po ndikohet nga pritshmëritë për rritje të interesave.

Ersuin Shehu/SCAN