Banka Botërore dhe Dhoma Amerikane, trajnim mbi tregun privat të kapitaleve

Dhoma Amerikane, në bashkëpunim me Bankën Botërore, i kanë ofruar audiencës së profesionistëve të fushës së financave workshopin me temën “Roli që kapitalet private kanë në investimet për bizneset në Ballkanin Perëndimor, si dhe mënyrat se si Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme mund të përfitojnë nga këto forma të reja financimi”.

Bizneset në Shqipëri, por dhe në Rajonin Perëndimor, vazhdojnë të mbështeten në forma tradicionale të financimit duke aksesuar fonde nëpërmjet sistemit bankar, linjave të kredive dhe huave të tjera financiare. Burimet alternative të kapitalit nuk ekzistojnë dhe tregu privat i kapitalit është në një fazë të hershme zhvillimi, jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon.

Kjo ndodh në një kohë kur 95% e bizneseve në Shqipëri janë Sipërmarrje të Vogla dhe të Mesme dhe shtylla e ekonomisë shqiptare. Ata përfaqësojnë 83% të punësimit, 75% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por përfitojnë vetëm 28% të financimit.
Për t’i dhënë këshillën e duhur kësaj kategorie biznesi se si të përfitojë nga kapitalet në këtë treg privat në zhvillim, seminari ka përfshirë module që shpjegojnë funksionimin e këtij tregu dhe aktorët e tij, mënyrën se si hartohet dhe realizohet marrëveshja mes investitorit dhe sipërmarrësit dhe përfitimet e të dy palëve.

Nëse sipërmarrësit investojnë paratë e tyre në tregun e kapitalit, ata mund të kenë një normë më të lartë fitimi dhe mund të bëhen aksionerë të kompanive të ndryshme, ashtu sikurse mund të përfshihen në dhënie huamarrjeje ndaj bizneseve apo edhe qeverisë.
Nga ana tjetër, bizneset që kanë nevojë për likuiditete, mund ti drejtohen këtij tregu privat kapitalesh duke lehtësuar buxhetet e tyre nga interesat e larta te kredive apo kolateralet e nevojshme.

Kjo marrëveshje dhe gjithë informacioni që i jep jetë një tregu të ri dhe në zhvillim të kapitaleve, ka qenë në fokus të seminarit të drejtuar nga eksperti ndërkombëtar në fushën e investimeve me kapital privat, z. Gavin Ryan, dhe njëkohësisht këshilltar special i Bankës Botërore dhe BERZH.
Pjesë e Workshop-it janë bërë dhe aktorët të këtij tregu dhe emra të njohur të biznesit si Elvin Guri, CEO tek Empower Capital Fund; Enio Jaco, Drejtor Ekzekutiv i CBS -së dhe Presidenti AmCham Albania, ekspertë ndërkombëtarë të tregut të kapitaleve si Michael Gold, Drejtor i Përgjithshëm tek Crimson Capital dhe Elga Ballta nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Gati për sigurimin e financimeve me kapital”- kjo temë e panelit ka ndihmuar në zhvillimin e një diskutimi mes të ftuarve kryesorë dhe pjesëmarrësve në workshop.
Koha e donacioneve po mbaron dhe bizneset e reja apo ato ekzistuese duhet të pajisen me njohuri për të naviguar në tregun e kapitaleve dhe për të gjetur jo thjesht financues por partnerë në biznesin dhe ideve e tyre novatore.
Roli i këshilltarëve në fushën e financimit po merr rëndësi të veçantë, dhe për këtë ka folur z. Jaco, President i AmCham Albania, duke shpjeguar rolin që po ndërmerr AmCham në përmirësimin e punës midis partnerëve të ndryshëm që përmirësojnë kornizën e investimeve dhe mjedisin, që është e rëndësishme për bizneset dhe investimet e kapitalit privat.

Dhoma Amerikane ka nisur së fundmi një nismë, e cila synon përmirësimin e modelit të investimeve në Shqipëri. Z. Jaço tha se një nga elementet kryesore të kësaj nisme është rritja e konkurrueshmërisë, e cila lidhet fort me aksesin në kapitale.

“Ajo që i duhet ekonomisë janë alternativat e reja të financimit që mundësojnë kapitale private. Nëse krahasojmë Shqipërinë me vende të tjera të rajonit, shohim se jemi hapa prapa, në gjetjen e mënyrave të reja të financimit. Dhe një nga alternativat më të mira janë financimet me kapital privat!
Në gjithë hendekun e aksesit të këtyre financimeve ka një oportunitet të jashtëzakonshëm për gjithë profesionistët shqiptarë, që ta shohin dhe konsiderojnë tregun e kapitaleve private si një mundësi reale për tregun dhe ekonominë” – u shpreh z.Jaço.

Në lidhje me veçoritë që ka tregu privat i kapitaleve, z. Elvin Guri ka folur mbi përgatitjen që duhet të kenë SME-të në Shqipëri për të marrë përsipër përgjegjësitë që sjell kjo formë e financimit që mbi gjithçka kërkon të ndërtohet besimi dhe partneriteti.

“Kapitali privat ka shumë të mira pasi mundëson rritjen, por vjen me kosto. Ai limiton pavarësinë. NMVM-të duhet të kuptojnë se marrëdhënia e besimit nuk vjen brenda ditës. Besimi duhet fituar. Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes nuk mjafton për ortakëri te suksesshme dhe është një proces që kërkon transparencë” – tha z. Guri.

Seminari 1-ditor nxiti interaktivitet mes të pranishmëve, të cilët shprehën interesin për trajnime të tjera në këtë fushë. Banka Botërore dhe AmCham ranë dakord të eksplorojnë nisma të tjera më të avancuara në të ardhmen për trajnimin profesional të ekspertëve shqiptare me thithjen e kapitaleve private.

Revista MONITOR