Gjatë periudhës afatmesme 2020-2022 qeveria do të financojë 80 për qind të nevojave për borxh të ri nga tregu i brendshëm. Megjithatë, sipas Ministrisë së Financave financimi i brendshëm rezulton të jetë i kufizuar dhe rritja vjetore e tij përtej nivelit 20-25 miliard Lekë mund të ushtrojë presion rritës mbi normat e interesit.

Ministria e Financave planifikon se nëpërmjet titujve afatshkurtër kryesisht do të realizohet menaxhimi aktiv i nevojave për likuiditet dhe do të synohet përmirësimi i profilit vjetor të maturimeve. Ndërkohë, borxhi i ri, i destinuar për të mbuluar një pjesë të deficitit të përgjithshëm do të synohet të mbulohet nëpërmjet titujve afatgjatë.

Titujt afatgjatë planifikohen të emetohen me norma interesi fikse, gjithsesi duke mos përjashtuar edhe emetimin e titujve me norma interesi të ndryshueshme në periudhën afatmesme, në varësi të kushteve të tregut të brendshëm.

Në periudhën afatshkurtër (2019-2020) titujt shtetërorë planifikohen të emetohen kryesisht në monedhën vendase. Ndërkohë, në periudhën afatmesme dhe afatgjatë planifikohet të ketë emetime të titujve shtetërorë në valutë me qëllim sigurimin e valutës së nevojshme për të shërbyer detyrimet e borxhit në valutë. Madhësitë e këtyre emetimeve do të vlerësohen periudhë pas periudhe, duke konsideruar kushtet e tregut vendas në raport me tregjet e huaja dhe disponueshmërinë e financimeve të huaja nga burime shumëpalëshe dhe dypalëshe në formën e mbështetjes buxhetore.

Në periudhën afatmesme, huamarrja nëpërmjet burimeve të huaja në terma bruto do të plotësojë mesatarisht deri në 20% të nevojave të përgjithshme për hua të qeverisjes qendrore.

Planet e Ministrisë së Financave sugjerojnë se, instrumentet kryesore të huamarrjes së huaj do të jenë huatë nga kreditorët me natyrë shumëpalëshe dhe dypalëshe, të cilat do të financojnë projektet ekzistuese dhe projektet e reja zhvillimore, si edhe huatë në formën e mbështetjes buxhetore të akorduara nga institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat do të synojnë mbështetjen e reformave të ndërmarra nga qeveria.

Gjithashtu, edhe financimi me Eurobond dhe/ose instrumente të tjera alternative nga burime private janë burime potenciale të financimit të huaj në periudhën afatmesme. Megjithatë, madhësia dhe karakteristika të tjera të këtyre instrumenteve do të përcaktohen vit pas viti në përputhje me nevojat për realizimin e objektivave.

Burimi: Revista Monitor

Credins Bank dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) janë licencuar zyrtarisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për të tregtuar edhe tituj të kompanive private. Me një vendim të datës 19 dhjetor, Bordi Drejtues i AMF ka miratuar zgjerimin e fushës së veprimtarisë së këtyre dy institucioneve për ushtrimin e veprimtarisë së tregtimit të titujve në “Bursën Shqiptare të Titujve ALSE” dhe në tregun me pakicë në Republikën e Shqipërisë.

Më parë, licenca e brokerimit kufizohej në tregtimin e letrave me vlerë të qeverisë. Me hapjen e rrugës për tregtimin e titujve të kompanive private në bursën ALSE, Credins dhe ABI janë licencuar edhe si broker për kompanitë që do të jenë të interesuara të tregtojnë obligacione apo aksione të tyre në bursë.

Pas marrjes së të gjitha licencave të nevojshme nga depozitari ALREG, në fund të vitit të kaluar, tashmë ligjërisht nuk ka më pengesa që shoqëritë tregtare shqiptare të hyjnë në bursë, qoftë për të rritur kapitalin përmes shitjes së aksioneve ose për të siguruar huamarrje nëpërmjet titujve të borxhit.

Hyrja e kompanive private në bursë do të shënonte një zhvillim historik, jo vetëm për tregun financiar, por për të gjithë ekonominë shqiptare. Në vitet e fundit, disa kompani, kryesisht institucione financiare, kanë aplikuar huamarrjen përmes obligacioneve me ofertë private.

Ndërkohë, ka ende shpresa që bursa të mund të marrë një shtysë nga kompanitë publike. Në vitin 2018, kryeministri Rama paralajmëroi hyrjen në bursë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, por ky proces është i lidhur me ndarjen e këtij operatori në disa kompani të veçanta, që deri tani ka ecur me hapa të ngadaltë.

Burimi: Portali Paraja.net